
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit stafi mjekësor ka trajtuar gjithsej 337 pacientë, duke ofruar shërbime në disa njësi të emergjencës.
Sipas të dhënave, në repartin e Reanimimit janë trajtuar 77 raste, në Emergjencën Internistike 94 raste, në Emergjencën Ortopedike 76 raste, ndërsa në Emergjencën Kirurgjike janë trajtuar 56 pacientë.
Po ashtu, në Sallën e Vogël janë kryer 34 shërbime.
Sa i përket natyrës së rasteve të evidentuara, gjatë kësaj periudhe është regjistruar një rast i lëndimit me armë zjarri, një rast i intoksikimit dhe 14 raste të personave të lënduar në aksidente komunikacioni.
QKUK-ja bën të ditur se gjatë 24-orëve të fundit janë realizuar edhe 27 pranime për trajtim të mëtejmë në klinikat përkatëse. Ndërkohë, gjatë së njëjtës periudhë janë regjistruar katër raste të vdekjeve.