
Refuzim takimi, përçarje vëllazërie, izolim. Këto janë vetëm disa nga të paktat interpretime që opinioni publik po ia bën raporteve të kryeministrit të vendit, Albin Kurti me kryeministrin shqiptar, Edi Ramën.
Mbi 60% e qytetarëve të Kosovës janë shprehur kundër idesë së Kurtit për të mos takuar liderin e Shqipërisë. Të paktën kështu ata kanë shprehur mendimin e tyre në sondazhin e hapur në emisionin “Mëngjesi me Arben Ahmetin” në Kanal10.
Ndërsa, 40% prej qytetarëve mendojnë kryeministri i vendit, duhet ta refuzoj takimin me Ramën.

Pothuajse të njëjta janë shifrat edhe nga sondazhi i hapur në komunitetin e Kanal10 në Viber, ku 85% e qytetarëve mendojnë se Kurti duhet ta takoj Ramën, ndërsa vetëm 15% jo, raporton Gazeta10.

I pari i Shqipërisë do të qëndroj pasditen e sotme në Kosovë, ku pritet të ketë takim me presidenten, Vjosa Osmanin dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.
Këto vizita ai po i bën në kuadër të nisjes së turit ballkanik që do të zhvillojë si pjesë e Procesit të Berlinit.
Gjatë ditës së djeshme, udhëheqësi i ekzekutivit të Kosovës tha se është i gatshëm ta takoj Ramën vetëm në mbledhjen e dy qeverive.
Kujtojmë se më 13 qershor, Rama e kishte anuluar mbledhjen e dy qeverive të planifikuar që moti të mbahej në Gjakovë, për shkak të tensioneve në veri të vendit dhe vendimeve jo të koordinuara të Qeverisë së Kosovës me aleatët.
Kjo nga opinionin publik u komentua shumë, madje pati kritika se Shqipëria ishte e para që po nis izolimin e Kosovës./Gazeta10