
Analisti politik, Fidan Rama ka komentuar inaugurimin e presidentit të 47-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Rama ka thënë se në fjalimin e Trump ka vërejtur një lloj “zbutje” në komunikim, ngaqë siç tha ai, fjalimi i tij dallon shumë me atë të vitit 2016.
“Me 4 nëntor ne kemi parë një president krejt ndryshe në krahasim me 2016. Kemi një dimension të ri të paraqitjes së presidentit të ri amerikan”, ka thënë Rama.
Ai është shprehur i bindur se Trump do të gjejë zgjidhje edhe për Kosovën dhe Ukrainën.
“Komplet fokusi i Trumpit përveç emigracionit, do të jetë edhe politika e jashtme. Kosova dhe Ukraina dhe Lindja e Mesme janë vatra që SHBA-të janë kryekëput dhe janë brenda. Një nga prioritetet e para është që t’i zgjidhë dhe t’i mbyllë këto tema”, ka thënë ai në “Politiko”.
Ndryshe, presidenti i sapobetuar i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zotua se do ta vendosë Amerikën në vend të parë.
Në fjalimin e parë pas betimit, Trump tha se “epoka e artë e Amerikës fillon pikërisht tani”. /Gazeta10/