
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar ministrin e Arsimit, Hajrulla Çeku, duke e akuzuar se nuk ka arritur t’ua sigurojë librat nxënësve para fillimit të vitit të ri shkollor.
Rama ka thënë se Çeku, gjatë kohës sa drejtonte Ministrinë e Kulturës, kishte shkaktuar bllokada në projekte të rëndësishme në Prishtinë dhe në vend, ndërsa tani, sipas tij, po ndodh e njëjta gjë edhe në sistemin arsimor.
“1 shtatori po vjen dhe nuk arriti me ua siguru nxënësve mjetin bazë të mësimit, librat”, ka shkruar Rama në një postim.
Ai ka përmendur edhe çështjen e Teatrit Kombëtar dhe Muzeut Kombëtar, duke pretenduar se këto institucione kanë mbetur të bllokuara për vite me radhë gjatë mandatit të Çekut në Ministrinë e Kulturës.
“Kudo që janë këta, veç një punë dinë me bë – me blloku”, ka deklaruar Rama, duke shtuar kritikat ndaj qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.