
Një operacion i përbashkët mes policisë dhe doganës gjermane ka çuar në sekuestrimin e rreth 1.5 tonë metamfetaminë në portin e Hamburgut, në një nga goditjet më të mëdha ndaj trafikut të kësaj droge në këtë port.
Sipas autoriteteve, droga ishte fshehur në një kontejner që në dokumentet e transportit rezultonte se kishte mijëra thasë me oriz të bardhë nga Pakistani.
Hetuesit kishin vendosur nën vëzhgim disa kontejnerë të ardhur nga Pakistani. Gjatë kontrollit me rreze X, një prej tyre ngriti dyshime për shkak të përmbajtjes së pazakontë, duke bërë që ngarkesa të kontrollohej në detaje.
Gjatë inspektimit, në qindra thasë të paraqitur si oriz u gjet një substancë kristalore. Pas analizave laboratorike, autoritetet konfirmuan se bëhej fjalë për metamfetaminë, e njohur ndryshe si “Crystal Meth”.
Vlera e drogës së sekuestruar llogaritet në rreth 28.5 milionë euro.
Deri tani, autoritetet gjermane nuk kanë bërë të ditur se kush qëndron pas këtij importi dhe cili ishte destinacioni përfundimtar i ngarkesës. Prokuroria ka deklaruar se nuk ka të dhëna që droga të ishte planifikuar për tregun e Hamburgut.
Operacioni u realizua nga grupi i përbashkët hetimor kundër narkotikëve i Zyrës së Policisë Kriminale të Landit dhe Zyrës së Hetimeve Doganore.