10 LIVE

Rama: Kurti ka mbështetjen time të plotë për vetëmenaxhimin e komunitetit serb

Gazeta10
26 Mars 2023 - 14:55

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një shkrimi në Facebook ka njoftuar se çfarë ka biseduarin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Shqipëri, raporton Gazeta10.

Rama ka bërë të ditur se i ka dhënë mbështetje Kurtit për Marrëveshjen e Ohrit, e në veçanti i ka dhënë mbështetje sa i përket procesit të mëtejmë, ku përfshihet  zbatimi i aneksit lidhur me  vetëmenaxhimin e komunitetit serb dhe funksionimin e Kishës Serbe në Kosovë.

“Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj. I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë.”, ka shkruar Rama.

Ai ka theksuar se kanë rënë dakord që mbledhja e ardhshme e të dy qeverive të mbahet në qershor.

Më herë Kurti ka zhvilluar takime edhe me presidentin Bajram Begaj dhe me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën.

Ndërkohë pritet edhe një takim me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Metën./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.