
Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10
Të martën me 6 dhjetor do të mbahet samiti i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, ku kryeministri Edi Rama e ka quajtur këtë si një nga ngjarjet më të rëndësishme për vendin. Shefi i qeverisë shqiptare ka folur edhe për refuzimin e ftesës nga Serbia, por thotë se do të jetë aty ngase s’ka rrugë tjetër. Në të kundërtën sipas tij do të ishte katastrofë për shtetin serb dhe Vuçiqin.
Kryeqyteti shqiptar, Tirana, të martën do të bëjë bashkë liderët e BE-së dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Samiti i Bashkimit Evropian dhe 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, është i pari që zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në BE.
Mirëpo, në Samitin e 6 dhjetorit, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë.
Por fjalëve të Vuçiqit, siç duket nuk po i beson kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Ai ka thënë që Serbia do të jetë në Samit ngase në të kundërtën do të ballafaqohet me katastrofë.
Shefi i ekzekutivit shqiptar, ka thënë se kjo ngjarje është historike për Shqipërinë.
Në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, Kosovën do ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani.
Në këtë takim udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të zotohen për mbështetje dhe përshpejtim të procesit të zgjerimit me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.