
Kryeministri Edi Rama, derisa foli për raportin mes Kosovës dhe Serbisë, tha se kjo e fundit nuk është më rrezik për Kosovën, qysh nga viti 1999.
Sipas Ramës, Kosovën e mbron Amerika.
Ai tha se Kurti këtë situatë po e përdor si taktikë elektorale të brendshme, por se zgjidhja e mosmarrëveshjeve është e thjeshtë – Asociacioni.
“Serbia qysh nga vitit 1999 nuk është më kërcënim për Kosovën, nuk ka çka i bën fare. Jo sepse është Albin Kurti aty apo cilido qoftë, por sepse aty është Amerika. Është kjo Amerikë e cila sot është në acarimin maksimal me Qeverinë e Kosovës. Atëherë për çfarë duhet kjo histori konfrontimi permanent? Duhet për politikë të brendshme. Dhe, cila është gjëja që e shpërbën figurën e armikut imagjinar në sytë e zgjedhësve të njërit dhe tjetrit? Asociacioni, është shumë e qartë”.
“Prandaj, më vjen mirë edhe është pjesë e marrëdhënies shumë të shëndetshme që kam me Albin Kurtin sepse themi atë që mendojmë edhe kur jemi dakord edhe kur s’jemi. Qëllimin e kemi një, 100 përqind, njohja e plotë përfundimtare ndërkombëtare e Kosovës, edhe nga Serbia, përveçse nga të gjithë të tjerët, dhe kërkimi i faljes nga Serbia për krimet që ka bërë në Kosovë”.
Tutje, Rama tregoi se ku qëndron dallimi mes tij dhe Kurtit.
“Ndryshimi midis meje dhe Albinit është se Albini i do këto në fillim. Unë mendoj se duhet të vinë në fund”. Nuk kam unë asnjë problem çfarë thotë Albini, më pëlqen që e ka këtë karakteristikë, por jam i tmerruar nga ky kurs, taktikë elektorale e brendshme, asgjë ska këtu tjetër, përveç kësaj, sipas meje”.