Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rama shtrenjtimin e biletave të autobusëve e quan rritje minimale – gati i njejtë me ‘kuletën digjitale’

Gazeta10
01 July 2026 - 12:04

Nga sot kanë hyrë në fuqi çmimet e reja të biletave të transportit publik. Ndryshimet përfshijnë shtrenjtimin e biletave njëdrejtimëshe, ditore, javore, mujore, biletën për linjën e Aeroportit, si dhe biletat vjetore dhe korporative digjitale.

Me hyrjen në fuqi të çmimeve të reja të biletave të transportit publik në Prishtinë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se ndryshimet janë pjesë e procesit të digjitalizimit të sistemit të pagesave dhe modernizimit të transportit urban.

I pyetur nga KosovaPress për arsyet e rritjes së çmimeve, Rama theksoi se komuna po synon të largojë pagesat me para në dorë dhe të nxisë përdorimin e biletave dhe kartelave digjitale.

“Ne faktikisht po i shtyjmë proceset për digjitalizimin e biletave. Pra, digjitalizimi i proceseve, pra jo me pagu me me kesh (cash), po me i ble biletat ditore, javore, mujore në bazë të proceseve, pra të kartave digjitale. Edhe aty i kemi mbajtur këto biletat pra të ulëta. Mirëpo, e kemi një çmim më të ngritur nëse e blini me kesh në vend sot. Pra, të gjithë qytetarët që i marrin, pa parë se e marrin këtë kuletën digjitale, biletën e kanë, po them, pothuajse të njëjtë ose shumë më lirë sesa nëse e paguajnë kesh”, tha Rama.

Sipas Ramës, ndryshimet lidhen edhe me modernizimin e autobusëve, të cilët do të pajisen me sisteme elektronike të pagesës.

“Pra, është një proces i modernizimit të të gjithë flotës. Tash edhe autobusët e rinj që janë duke ardhur kanë me pasë mundësinë për kështu touch sistemin për me prek me telefon apo me kartelë, edhe këto bileta kanë qëndruar të ulëta, pra nuk janë të ngritura. Janë vetëm ato të cilat të cilat i paguajnë kesh. E këtë po them po mundohemi që një numër sa më i madh i qytetarëve që të adaptohen përdorimit të autobusëve sepse po them po e modernizojmë edhe flotën e autobusëve në të gjitha pjesët e kryeqytetit”, shtoi Rama.

Ndërkohë, për faktin se edhe biletat digjitale janë shtrenjtuar me 10 centë, Rama u shpreh se kjo rritje është minimale dhe lidhet me rritjen e kostove të operimit.

“Po, ajo po them është ngritje minimale për arsye të kostove të naftës, të cilat janë të ngritura si rezultat i gjeopolitikës globale, edhe ajo duhet me me u përmbushë. Mirëpo, është në paralel me të. Atë e rishikojmë prapë në të ardhmen, po ideja është që të digjitalizohet procesi”, përfundoi Rama.

Bileta njëdrejtimëshe kushton 0.80 € në formë fizike dhe 0.60 € në formë digjitale/SMS, bileta ditore 1.20 € (fizike) dhe 1.00 € (digjitale), bileta javore 6.00 € (fizike) dhe 5.00 € (digjitale), ndërsa bileta mujore 18.00 € (fizike) dhe 14.50 € (digjitale). Për linjën e Aeroportit, bileta kushton 6.00 € në formë fizike dhe 5.00 € në formë digjitale. Gjithashtu, bileta vjetore digjitale kushton 150.00 €, ndërsa bileta korporative vjetore digjitale për bizneset me 20 ose më shumë punëtorë kushton 120.00 €.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.