
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj është ankuar kundrejtë KDI-së.
Ramosaj tha se Instituti Demokratik i Kosovës pas publikimit të raportit “Praktikat e organizimit të Dëgjimeve Buxhetore për vitin 2022” tha që Komuna e Deçanit nuk ka mbajtur Dëgjime Buxhetore gjë që nuk është e vërtetë sipas kryetarit të Deçanit.
Postimi i plotë i tij:
Pas publikimit të raportit “Praktikat e organizimit të Dëgjimeve Buxhetore për vitin 2022” të Institutit Demokratik të Kosovës, sot në publikimin live për media u tha që Komuna e Deçanit nuk ka mbajt Dëgjime Buxhetore, gjë që nuk është e vërtetë dhe që dëshmohet edhe nga Raporti i shkruar nga vet KDI dhe publikimet në web faqen zyrtare të Komunës së Deçanit.
Pas kësaj, ne si komunë kemi reaguar menjëherë dhe kemi biseduar me përfaqësuesit e KDI-së, të cilët kanë shpjeguar se bëhet fjalë për muajin gusht të këtij viti që nuk janë mbajtur dëgjime buxhetore.
Komuna e Deçanit ka mbajtur dëgjime buxhetore në muajin shtator, ku deri në miratimin e buxhetit për komunën tonë janë mbajtur 7 dëgjime buxhetore, një ndër to ka qenë edhe me kërkesë të Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur në bashkëpunim me KDI-në.
Andaj me mirëkuptim, kërkoj nga KDI që të sqaroj këtë keqinterpretim dhe njëherazi t’i kërkoj falje Komunës së Deçanit.