Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rasti Arlinda Zekajt ndez përplasjet në Komisionin Hetimor

Gazeta10
06 November 2026 - 17:20

Anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekës kanë shprehur mospajtime për mënyrën e zhvillimit të hetimit dhe përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në listën e institucioneve prej të cilave do të kërkohen dokumente dhe dëshmi.

Kryetari i komisionit, Burim Ramadani, ka kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se kjo parti ka ardhur në komision me qëndrime të prera dhe të paracaktuara.

“Lëvizja Vetëvendosje duket qartë se ka ardhur me një vendim të barrikaduar, me bllokadë me qëndrime të prera, të cilat janë formuluar para se me ardhë në komision. Krejt thelbi i sotëm sa i përket planit të veprimit, është që Lëvizja Vetëvendosje nuk e pranon se ne t’i dërgojmë kërkesa edhe Zyrës së Kryeministrit. Jemi duke folur për pjesën që e diskutojmë, nuk po futem në detaje. Sidoqoftë, ne besojmë që qasja barrikaduese që komisioni të mos e vendosë në listën e institucioneve që ka të drejtë t’i dërgojë kërkesa për dokumente dhe dëshmi, për prova, nuk po flasim në fazën e dëshmitarëve, që Zyra e Kryeministrit të mos përfshihet fare: me idenë që janë shumicë dhe e mbivotojnë. I lus kolegët e VV-së që të ulen të mendojnë dhe të hënën ta ndërrojnë qëndrimin e prerë që ZKM-së mos t’i bëjmë kërkesa”, ka thënë Ramadani.

Ndërkaq, deputetja nga PDK-ja, Besa Kabashi-Ramaj ka shprehur keqardhje që komisioni nuk po arrin t’i tejkalojë ndasitë politike, pavarësisht rëndësisë së rastit që po trajtohet.

“Është e dhimbshme me pa që një komision që po trajton një rast shumë të rëndë dhe duhet që t’i tejkalojë ndasitë politike dhe t’i shërbejë një kauze kombëtare, nuk po arrin me i tejkalu këto ndarje. Kemi paraqitur një plan të detajuar për secilën fazë që duhet të ndodhë, listat, duke filluar nga hallka më e vogël e deri te përgjegjësia politike. Të gjithë që kanë pasur gisht në këtë hallkë duhet të japin përgjegjësi para komisionit hetimor, jo si individë, por si institucione përgjegjëse, që kanë dështuar me mbrojt një grua që ka kërkuar mbrojtje prej tyre. Është shumë e rëndësishme që komisioni hetimor i tillë me funksionu, nuk duhet të politizohet. Një ministër mundet me qenë i shkëlqyeshëm në performancë, por nëse ndodh një rast tragjik, nëse nuk ka përgjegjësi penale, e ka përgjegjësi morale”, ka thënë ajo.

Edhe deputeti nga PDK-ja, Eman Rrahmani ka kritikuar situatën e krijuar në komision, duke thënë se kërkesa për dokumentet ndaj Zyrës së Kryeministrit ishte dashur të përmbushej.

“Na vjen shumë keq që ndodhemi në një situatë të tillë. Afati i fundit i ZKM-së ka qenë dje të na sjellë dokumentet. U arsyetuan dhe kërkonin mënyra tjera për të komunikuar. Gjatë mbledhjes kërkesa e VV-së ka qenë që të mos përfshihet në listën e institucioneve për të kërkuar dokumente. Nuk mund të vazhdohet një komision hetimor nëse pengohet i tërë procesi. Ky është kontribut, jo hetim. Ajo çka u tha në fillim, menduam që ka qenë një lloj mosfunksionimi i Zyrës së Kryeministrit, por ishte e qëllimshme”, ka deklaruar Rrahmani.

Ndërsa deputetja nga LDK-ja, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se është përpjekur të gjejë një zgjidhje mes palëve, duke propozuar që hetimi të nisë nga niveli lokal dhe më pas të vazhdojë në atë qendror.

“Është fatkeqësi e madhe sepse po trajtojmë një rast të rëndësishëm. U mundova t’i kuptoj dy palët. Insistimi im ishte ta kalonim këtë pikë edhe pa emrin e kryeministrit me një arsyeje. Sepse, vlerësova se do të shpërfaqë dy elemente kryesore, i pari është që e kuptojmë barrikadimin ndaj një emri që ka përgjegjësi për politikat që krijohen në kuadër të një shteti. Për të dëshmuar se ne e kemi për së vërteti hetimin real faktik, unë propozova të mos shkojmë nga intervistimi nga lart poshtë, por të fillojmë së pari me zyrtarët në komunë. E prej aty, të QPS-së, prokurorët, policët dhe në fund të mbetet niveli qendror që të identifikojmë problemet reale, në mënyrë që të dimë se çfarë pyetje duhet t’u adresojmë nivelit qendror. Në propozimin që u bë nga LVV-ja, ishte edhe emri i kryetarit të Komunës së Pejës dhe argumentimi im ishte ky, nëse niveli komunal ka vetëm atë emër pa drejtoritë, atëherë paralelja e kësaj është se niveli qendror ka një kryeministër që ka ministritë”, ka deklaruar Kica.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.