
Inspektorati i Arsimit në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka nxjerr vendim për suspendimin e menjëhershëm nga puna të tri punëtorëve të institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”, pas publikimit të një videoje ku shihen duke e keqtrajtuar një fëmijë të moshës 3 vjeçare, shkruan Gazeta10.
Kjo është konfirmuar nga zyrtarë të MASHT-it për Gazetën 10.
“Inspektorati i Arsimit ka nxjerrë vendim me të cilin obligon Drejtorinë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë që menjëherë të suspendojë nga marrëdhënia e punës 3 punëtorët e Institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, N.M, SH.I dhe N.H derisa të vendosin organet e hetuesisë/drejtësisë”, ka thënë për Gazeta10 zëdhënësja për media në MASHT, Edona Kutleshi-Maliqaj.
Ajo ka treguar se masa disiplinore janë marrë edhe ndaj drejtoreshës së çerdhes “Gëzimi Ynë”.
“Po ashtu, përmes këtij vendimi, Inspektorati i Arsimit obligon Drejtorinë Komunale të arsimit në Kosovë që të merr masa disiplinore ndaj drejtoreshës së Institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, në Fushë Kosovë, e cila nuk ka vepruar me kohë për rastin në fjalë”, u shpreh Kutleshi-Maliqaj.
Në ndërkohë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata që te caktojë masën e paraburgimit ndaj një edukatoreve dhe kuzhinieres së kopshtit,.
Ato po dyshohen për veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
“Ju njoftojmë se pas publikimit të video-incizimit në media dhe portale, mbi dyshimet për keqtrajtim të një fëmijë në njërën nga çerdhet në Fushë Kosovë, Prokurori i Shtetit menjëherë ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, si dhe në koordinim me institucionet e tjera relevante janë angazhuar në trajtimin e këtij rasti, ashtu që pas përfundimit të hetimeve preliminare, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personave të lartcekur, në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në komunikatën për media.