Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rasti i Faton Hajrizit: Serbia nuk i përgjigjet Kosovës, MPJD flet me familjen dhe ankohet te vendet e QUINT-it

Gazeta10
22 July 2024 - 19:10

Kosova po pret përgjigje për konfirmimin e identitetit të personit të vrarë në Serbi dhe lehtësimin e procedurave për kthimin e trupit të pajetë, pasi autoritetet serbe deklaruan të premten për një person të vrarë në Loznicë, e i cili dyshohet të jetë kosovari, Faton Hajrizi.

Hajrizi ishte arratisur nga Burgu i Smrekonicës më 6 korrik dhe vendondodhja e tij mbeti e enigmë deri të enjten, kur u tha se ishte i dyshuar për vrasjen e një polici në qytetin perëndimor të shtetit serb.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në një përgjigje tha se ende s’kanë marrë përgjigje nga autoritetet serbe, ndërsa për këtë është ankuar edhe tek ambasadorët e vendeve të QUINT-it, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi.

MPJD thekson se ka komunikuar edhe me familjen e personit që raportohet si i vrarë dhe do të angazhohet gjatë gjithë procedurave deri në kthimin e trupit të viktimës në Republikën e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ashtu siç ju kemi njoftuar dhe me parë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi ka kërkuar zyrtarisht nga autoritetet serbe konfirmimin e identitetit të personit të vrarë në Serbi. Nëpërmjet të njëjtës kërkesë zyrtare është kërkuar edhe lehtësimi i procedurave për kthimin e trupit të pajetë në Republikën e Kosovës dhe dorëzimi i tij tek familjarët. Megjithëkëtë, deri më tani Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga autoritetet serbe”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për KlanKosova.

“Zyra Ndërlidhës e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar notë sqaruese ambasadorëve të Misioneve Diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi nëpërmjet së cilës është theksuar fakti se përkundër kërkesës zyrtare drejtuar autoriteteve të Serbisë ende nuk është kthyer asnjë përgjigje”, thuhet tutje nga MPJD.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.