
Policia e Kosovës ka njoftuar për angazhimet e saj në garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar për sonte në Prishtinë, si dhe menaxhimin e trafikut rrugor.
Në njoftim, Policia ka theksuar se ndërhyrjet ndaj disa automjeteve lidhen me ngasjen e rrezikshme dhe shkeljet ligjore, dhe jo se po ndalohen apo ndëshkohen për shkak të flamujve të UÇK-së apo simboleve kombëtare.
Postimi i plotë:
Angazhimet policore në mbarëvajtje të protestës dhe trafikut rrugor
Prishtinë, 20 shtator 2026
Policia e Kosovës, në kuadër të angazhimeve të saj për ruajtjen e rendit, qetësisë publike dhe garantimin e sigurisë së përgjithshme, po vazhdon të angazhojë kapacitetet e veta njerëzore dhe logjistike lidhur me paralajmërimet për mbajtjen e protestës sot, në orën 21:00 në sheshin qendror të Prishtinës, në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Siç kemi njoftuar edhe në ditët e kaluara dhe në ditën e djeshme, përmes publikimeve zyrtare se; pas përfundimit të protestave të qeta në kryeqytet, një grup pjesëmarrësish, përfshirë personat me maska, po vazhdojnë protestimet e defilimet me automjete e tyre nëpër rrugët e kryeqytetit, duke vozitur në mënyrë të pa kontrolluar e të rrezikshme, duke dal e qëndruar nëpër dritare e mbi vetura, duke rrezikuar jetën e tyre dhe gjithë pjesëmarrësit e tjerë në trafik, përfshirë këmbësorët.
Veprimet policore në teren siç kemi sqaruar në vazhdimësi kanë të bëjnë ekskluzivisht me parandalimin e ngasjes së rrezikshme e të pakontrolluar të disa automjeteve pas protestave, kan për qëllim mbrojtjen e jetës së këmbësorëve dhe garantimin e sigurisë në trafik për të gjithë pjesëmarrësit si dhe lehtësimin në qarkullim të trafikut në përgjithësi.
Policia përgënjeshtron fuqishëm dezinformatat e shpërndara nga individë të caktuar në rrjetet sociale, se kinse po ndalohen, ndëshkohen apo po ushtrohet dhunë ndaj qytetarëve që mbajnë flamurin e UÇK-së në veturat e tyre.
Me përgjegjësi të plotë ju njoftojmë se Policia e Republikës së Kosovës nuk ka ndaluar, ndëshkuar, e as ushtruar dhunë ndaj asnjë qytetari, për shkak të simboleve historike kombëtare apo simboleve të UÇK-së, por për shkak të shkeljeve ligjore.
Garantimi i sigurisë për qytetarët, mbarëvajtja e protestës në mënyrë të qetë e të sigurt, menaxhimi i trafikut dhe parandalimi i vozitjeve të rrezikshme, janë detyrë e Policisë së Kosovës, e të cilat bëhen në interes të sigurisë së përgjithshme.
Policia e Kosovës si çdo herë falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe mirëkuptim, njëkohësisht u bën thirrje qytetarëve dhe mediave që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara, veçanërisht kur ato mund të ndikojnë në perceptimin e sigurisë dhe të krijojnë shqetësim të panevojshëm dhe dezinformim në opinion.