Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Reagon sërish KESCO: Vetëm 14 për qind e konsumatorëve kanë faturë 100 euro ose më tepër

Gazeta10
27 December 2023 - 18:30

Derisa qytetarët po vazhdojnë të reagojnë lidhur me faturimin e rrymës, nga KESCO janë deklaruar sërish duke thënë se vetëm 14% e konsumatorëve kanë pranuar fatura 100 euro ose më tepër.

Në postimin e bërë në faqen zyrtare, KESCO thotë se 86% e konsumatorëve kanë pranuar fatura nën 100 euro.

Siç thonë, në bazë të analizave që ekspertët e kompanisë kanë bërë, në Kosovë konsumatorët ngrohen me energji elektrike, dhe kjo ngrohje ua merr mbi 70% të konsumit.

 “400 mijë konsumatorëve deri me tani u janë lexuar njehsorët. 86% prej tyre kanë pranuar fatura nën 100€. Pra, nga numri total i leximeve, del që vetëm 14% e konsumatorëve kanë fatura 100€ ose më tepër. 📊 Edhe ato fatura që janë në shpenzim më të madh, bëhet fjalë për dy shërbime në një, pra për furnizim me energji elektrike dhe për ngrohje. Ngrohja është shpenzues i madh i energjisë elektrike dhe në bazë të analizave që ekspertët e kompanisë i kanë bërë, në Kosovë konsumatorët që ngrohen me energji elektrike, ngrohja ua merr mbi 70% të konsumit”, thuhet në njoftimin e bërë nga KESCO.

KESCO edhe gjatë ditës së djeshme lëshoi një komunikatë ku thuhej rritja e vlerave të faturave këtë mund është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike dhe se “efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike”.

“KESCO njofton konsumatorët dhe opinionin publik që nuk ka pasur rritje të tarifave fundore. Tarifat e energjisë elektrike janë rishikuar dhe rritur afërsisht 15% krahasuar me tarifat 2022-2023, me vendim të ZRrE-së, më 1 prill 2023″, thuhej mes tjerash në reagim.

Derisa nga ZRrE thanë se deri me tani nuk kanë pranuar ndonjë ankesë zyrtare nga konsumatorët në lidhje me faturat e muajit dhjetor 2023. ZRrE deklaron se nuk ka as ngritje të çmimit të energjisë.

ZRrE ka thënë se tarifat e energjisë janë duke u aplikuar sipas vendimit të datës 30 mars 2023.

“Çmimet e energjisë elektrike janë duke u aplikuar në te gjitha faturat e energjisë elektrike për energjinë e konsumuar sipas çmimeve te vendosura me datë 30 mars 2023 përmes vendimit V_1713_2023 nga Zyra e Rregullatorit për Energji, rrjedhimisht nuk ka ngritje të çmimit”. /Gazeta10/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.