
Real Madridi dhe Napoli janë dy çerekfinalistët e fundit të Ligës së Kampionëve për këtë edicion. Reali mposhti në shtëpi Liverpoolin me rezultat 1-0, ndërsa Napoli triumfoi 3-0 kundër Eintracht Frankfurtit.
Në ndeshjen e zhvilluar në “Santiago Bernabeu”, Real Madridi arriti të marrë një fitore minimale kundër Liverpoolit, për të kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 6-2.
Momenti vendimtar i kësaj ndeshje ishte ai i minutës së 78-të, ku Karim Benzema shënoi golin e fitores kundër ekipit anglez.
Liverpooli kishte rastet e veta në këtë ballafaqim, por që nuk arritën që t’i konkretizonin.
Në anën tjetër, Napoli ka fituar lehtësisht kundër Frankfurtit, për të kaluar në mesin e tetë skaudrave më të mira të Evropës.
Rezultati në këtë ndeshjes u zhbllokua në fund të pjesës së parë, ku Victor Osimhen realizoi me kokë për 1-0.
Ishte përsëri Osimhen, i cili dyfishoi avantazhin e Napolit, kur po zhvillohej minuta e 53-të e ndeshjes.
Për rezultatin përfundimtar u përkujdes Piotr Zielinski, i cili u tregua i saktë nga penaltia.
Shorti për fazën çerekfinale do të hidhet të premten.