Real Madridi i ka ofruar Luka Modricit një pozitë të re në klub, teksa legjenda kroate po i afrohet pensionimit nga futbolli.
“Los Blancos” kanë refuzuar një ofertë astronomike nga ekipi arab Al Nassr verën e kaluar.
38-vjeçari në fund nënshkroi një kontratë të re me klubin madrilen dhe ka luajtur 20 ndeshje në La Liga, aty ku Real Madridi momentalisht është lider me gjashtë pikë më shumë se vendi i dytë Girona.
Ish-fituesi i Topit të Artë ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, por The Athletic ka raportuar se Modricit i është ofruar mundësia që t’i bashkohet stafit të trajnerëve tek Reali në rast se ai vendos që të pensionohet.
Ky propozim i është prezantuar reprezentuesit kroat para dy muajsh, por ishte refuzuar nga Modric i cili ka dëshirë që të vazhdojë të luaj ende.
Sidoqoftë, është thënë se nuk ishte një ‘jo definitive’ pasi ish-lojtari i Tottenhamit nuk e ka refuzuar plotësisht idenë për t’u angazhuar në një rol tjetër.
Modric momentalisht është i fokusuar tek sezoni aktual dhe me shumë mundësi vendimi i tij nuk do të vijë deri pas përfundimit të Kampionatit Evropian që do të mbahet në Gjermani gjatë verës.