
Gjykata Supreme ka refuzuar padinë e KOSTT ndaj ZRRE-së, thuhet se kanë konstatuar se ZRRE ka ushtruar kompetencat e saj ligjore dhe rregullative në mënyrë të ligjshme, duke zhvilluar një proces të plotë monitorimi ndaj KOSTT Sh.A., në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, Ligjin për Energjinë Elektrike, Rregullat e Tregut, Kodin e Balancit dhe aktet tjera nënligjore përkatëse
Njoftimi i plotë i Supremes
Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në seancën e kolegjit të mbajtur më 26 janar 2026, ka marrë aktgjykim në konfliktin administrativ sipas padisë së paditësit Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës – KOSTT Sh.A., kundër të paditurës Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), lidhur me anulimin e aktit administrativ V_1739_2023, të datës 05.05.2023.
Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, të paraqitur nga KOSTT Sh.A., kundër aktgjykimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Dytë, K.DH.SH.II.nr.913/24, të datës 08.11.2024.
Gjykata Supreme vlerësoi se aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta janë marrë në përputhje me dispozitat ligjore. Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, arsyetimet e dhëna nga Gjykata Komerciale e Kosovës janë të plota, të qarta dhe të bazuara në analizë të drejtë të fakteve dhe të legjislacionit të zbatueshëm.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka konstatuar se ZRRE ka ushtruar kompetencat e saj ligjore dhe rregullative në mënyrë të ligjshme, duke zhvilluar një proces të plotë monitorimi ndaj KOSTT Sh.A., në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, Ligjin për Energjinë Elektrike, Rregullat e Tregut, Kodin e Balancit dhe aktet tjera nënligjore përkatëse.
Gjykata nga provat e administruara në këtë çështje ka konstatuar se ZRRE, në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë ka ushtruar përgjegjësitë e saj për monitorimin e operimit të tregjeve të energjisë elektrike në mënyrë që të sigurojë funksionimin efikas të këtyre tregjeve, si dhe të identifikojë veprimet korrigjuese që mund të jenë të nevojshme, ka kryer hetime lidhur me shkeljet eventuale të kryera nga Operatori i Sistemit të Transmetimit për KOSTT.
Gjykata vlerëson se me rastin e shqiptimit të gjobës së ZRRE-së ndaj KOSTT, në vlerë prej 439,405.00€ (katërqind e tridhjetenëntëmijë e katërqindepesë Euro) për shkak të shkeljeve ligjore të konstatuara për blerjet e energjisë elektrike, pagesat dhe nominimet, janë zbatuar drejtë dispozitat ligjore procedurale dhe materiale, andaj gjykata refuzoi në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësit
Linku i vendimit: https://supreme.gjyqesori-rks.org/…/SUP_ARJ_2023-142890…