
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka akuzuar Qeverinë për sjellje të papërgjegjshme në raport me Trustin pensional dhe me kontributpaguesit pensionalë të Kosovës.
Derisa mori fjalën të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës, Haxhiu ka thënë se vitin e kaluar humbjet në Trust ishin rreth 120 milionë euro, ndërsa këtë vit sipas tij, vazhdojnë të thellohen.
“Po bëhen gati dy muaj që trusti është pa bord. Kjo mazhorancë e papërgjegjshme që në dy raste e rrëzoi projektligjin për Trustin tani sillet edhe me ma papërgjegjshmëri, duke rrezikuar seriozisht mjetet e Trustit. Duke parë që në vitin e kaluar humbjet në Trust ishin 118 milionë euro, këtë vit vazhdojnë të thellohen humbjet në trust në mungesë të vendimmarrjes në bordin e Trustit. Sjellja e Qeverisë në raport me trustin dhe kontributpaguesit pensionalë të Kosovës është e papërgjegjshme”, ka thënë ai, raporton Koha.net.
Derisa ka bërë thirrje që të funksionalizohet Bordi i Trustit Pensional, Haxhiu ka thënë se është obligim i ekzekutivit ta rikthejë në Kuvend projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
“Sot kur bordi i Trustit nuk është funksional, është obligim i Qeverisë ta rikthejë në Kuvend projektligjin për tërheqjen e trustit dhe tu ndihmojë qytetarëve t’i shpëtojnë disa nga kursimet e tyre. Është obligim ligjor i yni që nëse Qeveria nuk përmbush detyrimet e saj, këtë ta bëjmë ne. Andaj reforma pensionale mund të iniciohet nga ne dhe ju ftoj si mazhorancë të mos i bllokoni nismat tona. Ju ftoj ta riktheni projektligjin për trustin dhe të mos rrezikohen kursimet e tyre”, ka thënë ai.