
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar në lidhje me situatën në Trepçë, në minierën e Statërgut, raporton Gazeta10
Rizvanolli, ka thënë se me a pa qëllim po qarkullojnë shumë të pavërteta, duke theksuar se të thuhet se faktor është keqmenaxhimi apo mospuna është jo vetëm gënjeshtër, por edhe ofendim për të gjithë ata minatorë, që po punojnë ditë e natë për të sanuar situatën.
“Më 27.01.2023 pas mesnatës ka pasur prishje të kabllos së energjisë elektrike në mes horizonteve 5 e 7 të minierës, kabllo kjo 70 vite e vjetër. Është reaguar menjëherë, qysh në 03:45 me rastin e ndodhjes së aksidentit. Menaxhmenti ka reaguar menjëherë duke rivendosur kabllo të re prej 180m, brenda disa orësh pas prishjes, si dhe duke instaluar sistemin e pompimit për largimin e ujërave nga miniera. Me këto ndërhyrje dhe punën e vazhdueshme të punonjësve aty, niveli i ujit po ulet. Mirëpo, deri sa uji të largohet plotësisht xehet nuk mund të barten për në flotaction. Ndërkohë, menaxhmenti është duke marrë masa shtesë për të vendosur kabllo alternative në tërë gjatësinë e kabllos nga horizonti 1 deri në horizontin 11, me gjatësi prej 1000m.Të thuhet se faktor është keqmenaxhimi apo mospuna është jo vetëm gënjeshtër, por edhe ofendim për të gjithë ata minatorë, teknikë, inxhinierë e udhëheqës të tyre që po punojnë ditë e natë për të sanuar situatën, e të cilëve ju jemi pafundësisht falënderues.”, thuhet në reagimin e saj.
Madje Rizvanolli, ka thënë se të merren si arsye sfidat e Trepçës për privatizim është ofendim për punëtorët e saj.
“Të thuhet se sfidat e Trepçës janë indikator se ajo duhet privatizuar është, prapë jo vetëm e pabazuar por edhe ofenduese për inteligjencën e punonjësve të Trepçës e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës e të Republikës së Kosovës.”, ka shkruar ajo.
Tutje, Rizvanolli nuk e ka lënë pa kritikuar edhe Qeveritë e kaluara për ‘’avullim të parave” që do duhej të investoheshin në Trepçë.
“Në Trepçë kanë hyrë më se 100 milionë euro të taksapaguesve që nga paslufta, por çuditërisht nuk ka pasur asnjë investim serioz që nga viti 2008. Një pjesë e madhe e tyre me gjasë thjesht u avulluan. Mbetjet e vlefshme u shitën për vlera qesharake, e në mënyrë të jashtëligjshme. Tokat e Trepçës u dhanë me qira për eksploatim nga operatorët privatë. Dhjetëra prona të paluajtshme të Trepçës u lejuan të uzurpohen me dekada nga operatorë të ndryshëm. Trepça nuk kishte rregullore të punës, rregullore për menaxhim të pronës, e pothuajse për asgjë tjetër, sepse kështu ishte në interes të atyre që e kanë vjedhur e zhvatur Trepçën pamëshirshëm e në mënyrë të paskrupullt ndër vite.”, ka shkruar ajo.
Në fund, Rizvanolli ka thënë se “pavarësisht që disave u janë prishur llogaritë e interesat, e kjo frymë e re mund të mos u pëlqejë, Trepça dhe ndërmarrjet tjera publike DO TË BËHEN E PO BËHEN, në funksion të qytetarëve e të shtetit të Kosovës”./Gazeta10