
Sulmuesi i Malishevës, Ronald Sobowale është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 30-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Sobowale kishte pasur një paraqitje fantastike kundër Ferizajt në fundjavë, ku me dy golat e tij Malisheva arkëtoi tri pikë shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë.
Me këto dy gola, sulmuesi anglez ka arritur kuotën e 11 golave të realizuara në elitën e futbollit kosovar këtë edicion.
Pasi iu nda ky çmim, Sobowale u shpreh i lumtur për vlerësimin, derisa vuri në pah optimizmin e tij që Malisheva ta sigurojë mbetjen në elitë edhe në këtë edicion.
“Jam shumë i gëzuar për këtë çmim dhe i falënderoj shumë bashkëlojtarët e mi. Mendoj që Malisheva do të qëndrojë në Albi Mall Superligë, meqë gjithçka është në dorën tonë. Na duhet të punojmë shumë sepse kemi para vetës 6 ndeshje shumë të vështira. Eksperienca ime në Kosovë është shumë e mirë dhe e shijoj çdo ditë. Njerëzit këtu janë shumë të këndshëm dhe mikpritës”, ka theksuar Sobowale.
Malisheva renditet në pozitën e shtatë në tabelë në Superligën e Kosovës me 33 pikë të grumbulluara.