
Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani është duke vazhduar me fazën e rikuperimit pas lëndimit që e kishte pësuar në ndeshjen ndaj Andorrës.
Sulmuesi nga Podujeva pritet të jetë jashtë fushave të blerta deri në muajin janar të vitit të ardhshëm.
Në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të Rapidit, 23-vjeçari tha se faza e rikuperimit po shkon mjaft mirë dhe se mezi po pret që të rikthehet në fushë.
“Rikuperimi po shkon shumë mirë dhe jam shumë i lumtur për veten time, për procesin e rikuperimit dhe shpresoj të kthehem sa më shpejt në fushë. Të gjithë ata që më kanë parë kanë thënë se do të jem i gatshëm në dimër, kështu që mezi pres të kthehem dhe të luaj ndeshjen e parë në janar dhe dua të ndodhë kështu. Javën tjetër do të shkoj për një kontroll dhe pas kësaj do të filloj të vrapoj dhe patjetër do të jem gati për të luajtur në janar nëse gjërat shkojnë sipas planit.”, tha Rrahmani.
Rrahmani tutje foli edhe për kombëtaren e Kosovës, ku tha se i vije shumë keq që nuk arritën të kualifikohen në “EURO 2024”.
23-vjeçari theksoi se do të përgatiten maksimalisht për ndeshjet e radhës dhe synojnë që të kualifikohen në Kupën e Botës që do të mbahet në vitin 2026.
“Na vjen keq që nuk u kualifikuam në Evropian. Është një gjë e keqe për të gjithë, për lojtarët, për tifozët, por ky është futbolli. Duhet të qëndrojmë të përulur, të punojmë shumë për ndeshjet e radhës. Po përgatitemi për Botërorin dhe shpresojmë të kualifikohemi në këtë kompeticion. Ne jemi një ekip shumë i mirë, vetëm duhet të mbajmë qëndrimin tonë dhe të punojmë shumë. Dhe një ditë do të kualifikohemi, ky është një premtim që ua bëj të gjithë tifozëve në Kosovë.”, theksoi sulmuesi nga Podujeva.
Albion Rrahmani gjatë merkatos së verës u transferua te Rapidi i Bukureshtit nga Ballkani për shumën e 600 mijë eurove.
Rrahmani e kishte nisur mjaft mirë aventurën e tij në Rumani, me gjashtë gola në po aq ndeshje të zhvilluara.