
Gjykata Speciale do të shuhej, duke kaluar edhe nëpër Këshillin e Sigurimit të OKB-së në vitin 2020. Për këtë, sipas Richard Grenell, ishin pajtuar ShBA, Kosova dhe Serbia. Në një intervistë për një televizion amerikan, Grenell ka thënë se ka dëshmitarë që u mashtruan dhe u manipuluan nga njerëz që u paraqitën si agjentë të CIA-së.
Nuk është hera e parë që Grenell flet për këtë, por këto detaje shtesë, që janë shokuese, i ka shpalosur tani në një intervistë për median e popullarizuar amerikane “The Epoch Tv”, tek gazetari dhe publicisti amerikan Lee Smith.
Shkas për këtë intervistë është fjalimi i kryeministrit Edi Rama para liderëve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, në samitin në Islandë, që u mbajt më 17 maj. Aty Rama sërish foli për iniciativën e Shqipërisë për rrëzim të Raportit të Dick Martyt, akuzat e të cilit për trafikim organesh nuk dolën të vërteta.
Në këtë intervistë, Grenell fillon rrëfimin se si ishte dakorduar marrëveshja historike mes presidentëve Donald Trump, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, ku përveç pakos ekonomike për të dyja vendet, ishte edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.
Në pyetjen e gazetarit se cilat ishin akuzat e prokurorit Smith kundër Thaçit, Grenell jep këtë përgjigje:
“Kishte një ide shumë kohë më parë se akuzat kundër Thaçit kishin të bënin me trafikimin e organeve njerëzore në kohën e luftës. Por kur ata ngritën aktakuzën, asnjë nga këto nuk ishte aty. Nuk kishte data. Nuk ka specifika. Dhe këtu është çelësi, disa nga dëshmitarët e asaj aktakuze tani kanë dalë dhe kanë thënë “unë thashë vetëm atë që thashë sepse personi që më intervistoi pretendonte se ishte nga CIA amerikane dhe ata thoshin se kishin prova dhe donin që unë ta them këtë”. Ai person tani është vërtetuar se nuk është person i CIA-s. Kushdo që ishte ai person, ai i ka gënjyer dëshmitarët. Dëshmitarët kanë ardhur (në Hagë) për të thënë se më kanë gënjyer, mendova se po punoja me CIA-n. A e dinte Jack Smith këtë? A i vuri ai këta njerëz të rremë të CIA-s për ta penguar këtë?
Akuzat që Jack Smith i ngriti ndaj presidentit të Kosovës nuk ishin ato që ai tha publikisht se do ta akuzonte, për marrjen e organeve njerëzore dhe trafikimin e tyre. Nuk ishte asnjë akuzë për këtë në aktakuzë. Të gjitha ishin akuza të përgjithshme, dhe Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës është ende në burgun e Hagës edhe sot e kësaj dite”.
Pse Jack Smith ndjeku presidentin e Kosovës? Për të shpëtuar punën e tij, pyeti në vijim të intervistës gazetari.
Richard Grenell dha këtë përgjigje:
“Kjo është një pyetje vërtet e mirë. Ka një histori të gjatë të hetimit të të gjitha krimeve të luftës. Po e përsëris, kjo është arsyeja pse pika e rëndësishme është prokurori (David Schwendiman) që ishte kryeprokuror përpara Jack Smithit, i cili kaloi vite duke parë gjithçka dhe tha se nuk ka asgjë tjetër për të bërë këtu. Nuk ka më aktakuza. Pastaj erdhi Jack Smith dhe ai kaloi vite duke jetuar në Amsterdam dhe duke pasur një jetë të mirë evropiane. Kur je kreu i një gjykate ndërkombëtare që jeton në Evropë, është një punë e qetë. Por pasi administrata Trump përmbysi plotësisht negociatat për Ballkanin, ne filluam të përparonim dhe nënshkruam katër marrëveshje.
Grenell thotë se Smith nuk kishte asnjë provë më shumë sesa Schwendiman i cili kishte ardhur në përfundim se nuk ka baza për aktakuza.
“Akuza ime është se ai u bë shumë politik vetëm sepse e urrente Donald Trumpin. Ai vendosi se do të përpiqej t’i ndalte këto negociata, duke ngritur një aktakuzë. Po e përsëris, ata kishin folur publikisht për këtë aktakuzë si diçka që do të kishte të bënte me trafikimin e organeve njerëzore, diçka që është skandaloze nëse dikush akuzohet se e ka bërë këtë. Ai (Smith) nuk e vërtetoi këtë”, ka thënë tutje Grenell.
Gjatë kësaj interviste të gjatë, Grenell flet sërish për përpjekjet e kryeministrit Rama që Evropa të korrigjojë padrejtësitë ndaj Kosovës dhe fton mediat, sidomos ato amerikane, që të merren me këto që i thotë në këtë intervistë.
“Dhe kështu tani kryeministri i Shqipërisë, aleati ynë në NATO, Edi Rama, i cili nuk është konservator, meqë ra fjala, ai doli para Këshillit të Evropës javën e kaluar për të ndëshkuar evropianët që lejuan që kjo gjykatë të padisë Hashim Thaçin, i cili është ende në burg. Evropianët e kanë lejuar këtë të ndodhë. Po të lexosh detajet e asaj që thotë Edi Rama, ai thotë se rusët janë ata që e nxorën këtë dezinformatë. Pra, pyetja do të ishte, a kanë paraqitur rusët dezinformata për Hashim Thaçin? Dhe a ra Jack Smith në këto shpifje? Mendoj se mediat tona amerikane duhet të bëhen shumë më kureshtare se cilat janë lidhjet këtu. Akuzat janë shpërthyese”.
Pyetja tjetër drejtuar Grenellit nga gazetari është: A mund t’ju kërkoj vetëm të sqaroni akuzat e bëra nga kryeministri shqiptar? Ai po pyet, a ishin rusët që ia dhanë këtë informacion prokurorit amerikan?
“Ajo që ai po thotë është, pse Evropa u mashtrua me akuza të rreme të sajuara kundër Hashim Thaçit, deri në pikën ku kjo gjykatë ndërkombëtare në Hagë, Jack Smith, e paditi dhe e arrestoi atë. Pse mashtrohen evropianët? Ai thotë turp për ne. Turp për të gjithë ne që e lejojmë këtë. Këto akuza të rreme për ta vënë presidentin e Kosovës në aktakuzë dhe arrestim dhe një çështje ligjore në vazhdim. Dhe, pranoni fjalët e kryeministrit të Shqipërisë, ato janë akuza të sajuara, janë akuza të rreme, dhe Jack Smith ishte prokurori”.
Pyetja e radhës e gazetarit është: Pra, ka dy motive të mundshme që Smith të ketë ngritur këto akuza? Njëra, siç e përmendët më herët, ishte që ai të mbante punën e tij në Evropë. Por motivi tjetër ishte të pengonte një nismë të rëndësishme të politikës së jashtme të administratës Trump?
Richard Grenell përgjigjet: “Jack Smith është qartësisht ambicioz. Dhe ai mori punën në Hagë si kryeprokuror i gjykatës dhe e mori detyrën duke e ditur se prokurori para tij (David Schwendiman), i hodhi poshtë dhe hoqi dorë. Jack Smith hyri në një punë ku dikush nuk ishte në gjendje të padisë presidentin e Kosovës. Dhe ai kaloi vite duke u përpjekur të dilte me akuza të reja, dhe publikisht kur e paditën Hashim Thaçin, nuk ka pasur akuza të reja, nuk ka data. Ka vetëm një përfundim për të dalë. Kur shikoni kohën dhe shikoni aktakuzën aktuale nga Jack Smith, ka vetëm një përfundim: Ai vendosi ta bënte atë kur Hashim Thaçi ishte disa ditë larg nga shkuarja në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar këtë marrëveshje përfundimtare”.
Ish-ambasadori Grenell thotë se prokurorët në Hagë po përpiqen të provojnë krimet e luftës përmes mungesës së udhëheqjes nga ana e krerëve të UÇK-së mbi pjesëtarët e saj.
“Është e pabesueshme, një akuzë pa specifika”, ka thënë Grenell.
Çfarë na tregon kjo për karakterin dhe metodat e njeriut që tani po udhëheq hetimin e Presidentit Donald Trump, ka qenë pyetja përmbyllëse e gazetarit në këtë intervistë. “Ai është shumë politik dhe jashtëzakonisht ambicioz dhe egoist në motivet e tij”, vlerëson Ish-ambasadori Grenell.
Në linkun më poshtë mund ta gjeni videon dhe transkriptimin e intervistës së realizuar më 29 maj 2023: https://leesmith.locals.com/post/4077763/the-ugly-history-of-the-doj-hatchet-man-tasked-to-target-trump