
Raporti: Gresa Bardhecaj/Kanal10
Kanë kaluar 24 vite prej masakrës së Gollubovcit të Malishevës ku forcat serbe kanë vrarë dhe masakruar 30 civilë shqiptarë të fshatrave Gollubovc dhe Plloqicë. Familjarët kanë rrëfyer për tmerrin që kanë përjetuar gjatë asaj kohe derisa kanë bërë thirrje për drejtësi për familjarët e tyre të vrarë, shkruan Kanal10.
Për 24 vite rresht, Fahrije Zenelin 26 shtatori e gjen në varrezat e fshatit Plloqicë.
Ajo vjen për të kujtuar vëllanë dhe të afërmit e saj, të cilët u vranë mizorisht nga forcat serbe në vitin 1998.
Zeneli thotë se dhimbja e saj është e freskët si ditën kur e ka marrë vesh se vëllai i saj ishte masakruar, derisa ka treguar se si e kishin gjetur atë dhe personat e tjerë.
Kur kanë kaluar mbi dy dekada dhe askush nuk është dënuar për këtë masakër, Fahrije Zeneli ka një thirrje.
Në varrezat e martirëve të Plloqicës në këtë përvjetor, shumë familjar kishin ardhur për të kujtuar më të dashurit e tyre.
Shumica e civilëve ishin marrë dhe ishin vrarë në një oborr, derisa vetëm njëri prej tyre kishte shpëtuar nga dora e armikut, kurse për të kujtuar viktimat, atyre u është ngritur një pllakë përkujtimore.
Në vitin 1998 këtu në oborrin e familjes Hoxha, forcat serbe kishin vrarë dhe masakruar 13 burra të fshatit Gollubovc dhe fshatrave përreth.
Ky përvjetor dyfishon dhimbjen edhe të familjes Maloku.
Miradije Maloku thotë se babai i saj i kishte gjetur familjarët e vdekur, por thotë se për shkak të plagëve të rënda që u ishin shkaktuar nga forcat serbe, e kishte pasur të vështirë t’i identifikonte.
Ajo thotë se tmerrin që kishin përjetuar e kujtojnë çdo ditë.
Në këtë masakër ishin vrarë mbi 30 civilë shqiptarë të fshatrave Plloqicë dhe Gollubovc, të cilët më pas ishin varrosur në varrezat e martirëve në Plloqicë të Malishevës. /Gazeta10