
Punëtorë të kompanive të izolimit thonë se pas thirrjes së ministres së ekonomisë për izolim të shtëpive, kërkesat janë rritur. Sipas tyre, nuk e dinë se a do t’i përmbushin të gjitha kërkesat, përgjatë kësaj kohe sa janë ende temperaturat e larta. Ndërkaq, qytetarët thonë se thirrje të tilla po i ngjallin panik, derisa ankohen për çmime të larta, raporton Kanal10.
Raporti: Saranda Aliu, Kamera: Fisnik Slivova.
Shtëpinë e ka ndërtuar e izolimin e kishte lënë për vitin tjetër.
Mirëpo, Ditnis Zekaj nga Prishtina këtë mendim e ndryshoi, nga frika e paralajmërimeve për dimër të ftohtë e krizë të furnizimit me energji elektrike.
Ai thotë se materialin e ka porositur, por çmimi tani është deri në 2 mijë euro më shtrenjtë në krahasim me vitin e kaluar.
Pavarësisht kësaj, këtë e sheh zgjidhje që sado pak ta ketë më të ngrohtë shtëpinë.
Punëtorët e njërës kompani që bëjnë izolimin e shtëpive e banesave, thonë se kërkesat për izolim janë rritur brenda 24 orëve të fundit.
Sipas tyre, do të jetë e vështirë që për aq kohë sa ende temperaturat janë të nxehta, të arrijnë t’i kryejnë të gjitha punët.
Të enjten, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u bëri thirrje qytetarëve që t’i izolojnë shtëpitë para se të bëhet ftohtë.
Deklarata e saj ka ngjallur reagime të shumta, duke u konsideruar nga njohës të ekonomisë si kërkesë qesharake./Gazeta10