
Emisioni “Kampionët” vazhdon edhe këtë të diel, kësaj radhe duke trajtuar temën rreth paraqitjes së Kosovës e Shqipërisë në këto kualifikime.
Të ftuar në studio janë si çdo herë analistët e përhershëm: Liridon Leci dhe Bekim Isufi, gjersa atyre i bashkohen edhe Arbnora Ademaj, Arbër Loxha, Mefail Bajqinovci e Arlind Sadiku.
Në lidhje direkte nga Shqipëria janë Klodian Duro dhe Altin Sulçe.
Gjatë diskutimit për Kosovën foli edhe gazetari sportiv, Arlind Sadiku.
Ai tha figurativisht se Kosova është një veturë luksoze “Ferrari” që ka në krye një shofer të dobët.
“Ne jemi një nivel i njejtë me skuadrën që e ka kombëtarja e Shqipërisë, mirëpo e keqja jonë është që po udhëhiqemi nga një trajner jo i duhur për këtë ekip” – tha ai.
Ai tutje shtoi kritikat e tij në drejtim të FFK-së për situatën e trajnerëve.
“Alain Giresse ka pasur pagë të madhe, shkaku i shkarkimit të tij, FFK-ja ende i paguan pagë, e zgjedhja e Primoz Gliha e mbulon pagën e tij të madhe” – tha ai.
Sadiku pati disa fjalë edhe për problemet e brendshme të përmendura nga Edon Zhegrova.
“Duhet të identifikohen problemet e të mirren me to, e nuk duhet të ketë heshtje, pasi heshtja sjell këso rezultate të dobëta” – përfundoi ai.