
Teksa procesi i numërimit të votave po shkon drejt përfundimit dhe kanë mbetur edhe votat me kusht për t’u numëruar, moderatori i emisionit Politiko në Kanal10, Kushtrim Sadiku, ka vlerësuar se projeksioni zgjedhor i prezantuar nga analisti Bleron Baraliu në natën e zgjedhjeve të 7 qershorit ka rezultuar më i sakti ndër të gjitha parashikimet e bëra.
“Bazuar në të dhënat aktuale, i bie që projeksioni i televizionit Kanal10, i prezantuar nga Bleron Baraliu, ka qenë më së afërmi me rezultatet përfundimtare. Jo tamam i njëjtë, por më së afërmi me rezultatet zgjedhore”, tha Sadiku gjatë emisionit.
Në një lidhje direkte, edhe vetë Baraliu komentoi zhvillimet e fundit të procesit zgjedhor, duke theksuar se pas numërimit të të gjitha votave, projeksioni i tij do të rezultojë edhe më i afërt me rezultatin final.
“Kur të përfundojnë të gjitha, ka me qenë edhe ma afër. E kam thënë se dallimi i vetëm ka me qenë që të gjitha partitë do të jenë pak më poshtë për shkak të daljes së ulët në zgjedhje”, deklaroi Baraliu.