
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Adem Salihaj, ka deklaruar se partia duhet të synojë një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, duke kërkuar një rol të rëndësishëm në qeverisje dhe postin e presidentit.
Sipas tij, LDK-ja ka përvojë në qeverisje dhe mund të japë ende kontribut të madh për Kosovën.
“LDK-ja ka kulturë të qeverisjes dhe mund t’i japë ende shumë Kosovës. Unë mendoj se LDK-ja duhet t’i kërkojë hise Vetëvendosjes në mënyrë dinjitoze, të mos shitet lehtë. Ajo duhet të kërkojë hise në Qeveri dhe për presidentin, dhe të bëhet një lloj marrëveshjeje që Kosova të mos shkojë prapë në zgjedhje të reja”, është shprehur Salihaj.
Ai vlerësoi se një marrëveshje e tillë do të shmangte zgjedhjet e reja dhe do të siguronte stabilitet institucional, ndërsa LDK-ja do të kishte një rol serioz në qeverisjen e vendit./Gazeta10