
Raporti: Fjolla Xheladini
Ligji i Pagave është bërë shkak i organizimit të grevës së përgjithshme në arsim me 25 gusht, pasi punëtorët këtij sektori po e shohin si zgjidhje të vetme për plotësimin e kërkesave të tyre. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, është e vetmja që do të hyjë në grevë, ngase të tjera sindikata nuk pranuar, duke i përkrahur vetëm kërkesat e tyre. Nga Këshilli i Prindërve është kërkuar që të mbrohet interesi i nxënësve, derisa edhe njohësit e arsimit kanë thënë se nënësit janë të vetmit që dëmtohen nga grevat, raporton Kanal10.
Historia e njëjtë me greva në arsim, do të përsëritet në fund të muajit gusht..
Në fakt, duket se Sindikata e Bashkuar e Arsimit është e vetmja që i ka qëndruar besnike shpalljes së grevës së përgjithshme nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Me hyrjen në grevë nuk janë pajtuar Federata Sindikale e Shëndetësisë dhe sindikata të tjera, por që i përkrahin kërkesat e tyre.
Ndërkohë, punëtoret e arsimit e konsiderojnë grevën mjet të pashmangshëm.
Nga SBASHK-u kanë thënë që kanë zgjedhur datën 25 gusht, me qëllim të mos-dëmtimit të procesit mësimor.
Por, njohës të kësaj fushe vlerësojnë se ata që pësojnë nga grevat janë vetëm nxënësit.
Ndërsa, nga Këshilli i Prindërve të Kosovës nuk kanë pranuar të deklarohen për media, duke pohuar se më datën 31 gusht do të mblidhen për të dalë me një qëndrim rreth kësaj situate.
Të enjten, ky këshill ka mbajtur takim me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku kanë thënë se asnjë institucion apo organizatë nuk duhet të përdorë nxënësit për të ngritur ose shtyrë interesa dhe agjenda të caktuara.
Grevë në arsim ishte mbajtur edhe më herët gjatë vitit, por ishte një ditore, derisa kjo e gushtit do të jetë e përgjithshme, si dhe do të përfshijë edhe çerdhet dhe nivelin e lartë arsimor./Gazeta10