
Avokati mbrojtës i Salih Mustafës, Julius von Bone, në seancën përmbyllëse ka thënë ndër të tjera se ZPS-ja e ka mashtruar mbrojtjen, raporton Gazeta10.
Bone ka thënë se ZPS-ja e ka ndryshuar qëndrimin e saj lidhur me një ndërtesë që flitet në këtë proces.
”ZPS-ja e ka ndryshuar qëndrimin e saj, nga një ndërtesë në tre ndërtesa, ku njerëzit janë mbajtur. Të gjithë dëshmitarët e ZPS-së janë intervistuar nga ZPS-ja lidhur me një ndërtesë të vetme, dhe jo tre ndërtesa”, ka thënë ai.
Tutje, avokati mbrojtës ka thënë se kjo temë do të trajtohet nga ai në mënyrë kronologjike.
”ZPS e ka mashtruar mbrojtjen, ose e ka keqdrejtuar mbrojtjen, duke ndryshuar befas vendndodhjen nga një në dy të tjera. Ne do ta trajtojmë këtë çështje në mënyrë kronologjike, siç kanë rrjedhur ngjarjet”, ka thënë më tej avokati mbrojtës.
Dje mbrojtja e viktimave ka dhënë fjalën përfundimtare dhe më pas e ka marrë fjalën mbrojtja e Salih Mustafës.
Prokuroria ka kërkuar dënim me 35 vjet burg për Salih Mustafës. Ai aktualisht gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë. / Gazeta10.