
Emisioni “Kampionët” vazhdon edhe këtë javë, duke pasqyruar problemet që po rrezikojnë futbollin e Kosovës.
Në studio, analistit të përhershëm, Bekim Isufit i janë bashkuar edhe Edmond Rugova, Kujtim Zebica, Armend Thaqi, Betim Zeqiri e Kushtrim Krasniqi.
Në diskutim për një ankesë të Llapit, adresuar në FFK pas ndeshjes me Malishevën, foli sekretari i klubit të Llapit, Muhamet Rexhepi.
Ai tha se ankesa e tyre ka qenë e rregullt, dhe se nuk ka ide pse është refuzuar.
“Ne kemi dërguar ankesën brenda 48 orëve, që nga përfundimi i ndeshjes. Ne si klub jemi çuditur, nuk e dijmë se pse FFK-ja ka vendosur ta refuzojë këtë ankesë, që për ne ka qenë në rregull”.
Ankesa e Llapit bëhej fjalë rreth Rilind Hazirajt, lojtarit të Malishevës, i cili sipas klubit të Llapit nuk ka pasur të drejtë loje. Klubi nga Podujeva thotë se lojtari në fjalë nuk është dashur të paraqitet pasi kishte arritur limitin e kartonëve të verdhë, pas paraqitjeve me Dritën U21 në Ligën U21.
Ndeshjen në fushë e kishte fituar Malisheva, me shifrat 2-1, gjersa nga klubi i Llapit besojnë se u është bërë e padrejtë, dhe sipas tyre, fitorja i përket klubit llapjan.