
Raporti:Viola Korça
Serbët lokal kanë barrikaduar të shtunën disa rrugë në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok si shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të policisë, Dejan Pantiq. Ndërsa, si masë paraprake të sigurisë, policia ka vendosur të mbyll për qarkullim rrugën drejt pikës kufitare në Jarinjë. Për barikadat e vendosura nga serbët ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, i cili ka ftuar qytetarët për ruajtje të qetësisë. Ai ka thënë se polici i arrestuar ka organizuar sulmin ndaj zyrtarëve të KQZ-së dhe atyre policorë në veri të vendit.
Me kamionë e autoambulanca, serbët lokal në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok kanë bllokuar të shtunën rrugët, teksa në Mitrovicën e Veriut dhe Rudarë raportohet se janë dëgjuar edhe sirenat.
Gjithë këto veprime lidhen me arrestimin në Jarinje të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas bllokimit të rrugëve, si masë paraprake të sigurisë ka mbyllur për qarkullim rrugën drejt pikës kufitare në Jarinjë.
Si masë paraprake të sigurisë, përderisa rrugët janë të bllokuara në drejtim të Pikës Kufitare Jarinje, Policia e Kosovës të njëjtën e ka mbyllur përkohësisht për qarkullim, andaj qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim. Si çdo herë Policia e Kosovës, fton qytetarët që të mos bien pre e thirrjeve apo provokimeve të mundshme nga persona apo grupe kriminale, por të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës e cila do të vazhdojë të angazhohet për ofrim të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, si dhe ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës.
Pas vendosjes së barrikadave nga serbët lokal, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se ish- polici i arrestuar ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit derisa ka ftuar të gjithë qytetarët për ruajtje të qetësisë.
I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-sëdhe zyrtarët policor. Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues. Grupe ekstremiste me qëllim të parandalimit të vendosjes së drejtësisë janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.
Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se bandat kriminale të udhëhequra nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.
Drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovë, ka deklaruar se situata në veri mund të jetë e tensionuar edhe në ditët në vijim.
Tensionimi i situatës në veri është rikthyer ditëve të fundit, ku si pasojë e një sulmi me armë zjarri është plagosur një polic i Kosovës derisa nga një grup qytetarësh të maskuar, është sulmuar edhe një ekip i gazetarëve. / Kanal10