
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci tha se Kosova ka ndërtuar institucione profesionale dhe të besueshme të sigurisë.
Ai theksoi se bashkëpunimi dhe koordinimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtar vazhdon të jetë i ngushtë.
“Optimizimi gradual i pranisë së KFOR-it, përfshirë përshtatjen e pranisë në urën mbi Ibër, është para së gjithash reflektim i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe i rritjes së kapaciteteve të institucioneve tona të sigurisë. Ky është një proces i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Republikën e Kosovës.Kosova ka ndërtuar ndër vite institucione profesionale dhe të besueshme të sigurisë, ndërsa bashkëpunimi dhe koordinimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdon të jetë i ngushtë. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, është dhe mbetet përgjegjësi dhe prioritet i institucioneve tona”, shkroi Maqedonci në Facebook.
Ndër të tjera, Maqedoni tha se përpjekjet e lidershipit të Serbisë për ta paraqitur optimizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb apo si dëshmi të një situate të paqëndrueshme në Kosovë nuk përputhen me realitetin në terren.
“Përkundrazi, ato synojnë të krijojnë perceptimin e një krize atje ku vlerësimet profesionale të sigurisë tregojnë progres”.