
Ish-kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu i ka quajtur metoda mesjetare thirrjet dhe presionet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ndaj serbëve të Kosovës për ta bojkotuar procesin zgjedhor të mbajtur në katër komunat e veriut të vendit.
Përkundër obligimeve të marra nga dakordimet në Bruksel e në Ohër mes Kosovës e Serbisë, Baraliu nuk ka kursyer edhe kritika tjera ndaj presidentit serb, Vuçiq.
“Ai i ka pranuar të dy marrëvshjes, Brukselit e Ohrit, atje ku kanë marrë obligime taksative se çfarë duhet të bëj. Njëra prej tyre është të mos e pengoj Kosovën as në zhvillimet e proceseve demokratike të brendshme e as në anëtarësimin e saj në organizatat rajonale e ndërkombëtare.”, tha Baraliu në Info10 në Kanal10.
Ai kritikoi edhe krerët institucional të Kosovës të cilët ditë më parë konfirmuan edhe takimin e 2 majit në Bruksel me palën serbe, shkruan Gazeta10.
“Nuk e di me çfarë vullneti, kushti e mundësie institucionale dikush nga Kosova merr kurajo që të shkoj në Bruksel më 2 maj, dhe të bisedoj me një njeri që nuk i përmbahet marrëveshjes. Eksponentët e Vuçiqit po tallen edhe me bashkësinë ndërkombëtare dhe sheshazi po kësaj bashkësie që se ka obliguar me asgjë Serbinë me këto dy marrëveshje, por vetëm Kosovën ka caktuar afatet. Dhe, Vuçiq tallet me ta dhe u quan edhe gënjeshtar, të pasinqertë e të padenjë për shkak se nuk po veprojkan sipas metodave të tij që janë metoda mesjetare, duke shantazhuar, duke bërë presion ndaj popullit të vet dhe Kosovën si shtet.”, tha tutje Baraliu në Info10.
Të dielën e 23 prillit, KQZ-ja organzioi zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe. /Gazeta10