
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të enjten po e vazhdon dëshminë e saj dëshmitarja Safete Hadergjonaj në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës. Ky i fundit, tha se Hadergjonaj është involvuar në çështjen ndaj tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) me deklarata të rrejshme.
“Vetëm për sqarim, nuk është që ekipi im e ka ftuar, por e ka involvuar Prokuroria më dëshmi të rrejshme e ne jemi vetëm për sqarim. Nuk është që e kemi ftu ne dhe e kemi involvu ne. Ne e kemi ftu për të sqaru deklaratat që i ka bërë dikush tjetër dhe që e kanë involvu dhe jo unë dhe as mbrojtja ime. Ju faleminderit. Kaq pata, vetëm për sqarimin tuaj”, tha Shala.
Deklarata e Shalës erdhi pasi kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia i tha dëshmitares se prezenca e saj në këtë seancë është me kërkesën e mbrojtjes së Shalës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas saj, mbrojtja ka kërkuar ndihmën e DhSK-së që të sigurojë prezencën e saj në këtë çështje gjyqësore.
Veldt-Foglia i tha dëshmitares së mbrojtja ka konsideruar që Safete Hadergjonaj mund të japë informacione të rëndësishme lidhur me veprat e pretenduara, si dhe këtë çështje gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.
Hadergjonaj e falënderoi gjyqtaren për sqarimin dhe i tha që iu është përgjigjur ftesës në mënyrë të rregullt. Pyetjet për Safete të ka filluar që t’i parashtrojë mbrojtësi i viktimave Simon Laws.
Hadergjonaj dëshminë e saj e ka filluar të martën më 22 nëntor, ku deklaroi që nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se nuk ka qenë as motër medicinale dhe se nuk ka të bëjë asgjë me profesionin e mjekut.