
Shtetet e Bashkuara të Amerikës të enjten kanë futur në listën e zezë 10 individë, teksa kanë shpallur rundin e radhës të sanksioneve ekonomike në Ballkan.
Sipas ueb-faqes zyrtare të Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Në mesin e tyre janë Savo Cvijetinoviq, Petar Gjokiq dhe Dushko Peroviq nga Bosnja e Hercegovina; Miodrag Davidoviq dhe Branisllav Miqunoviq nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut; dhe Misha Vaçiq e Nenad Popoviq nga Serbia.
“Ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor është thellësisht i ndërthurur me korrupsionin dhe retorikën politike ekstremiste, të cilat kërcënojnë sundimin e ligjit, stabilitetin dhe sovranitetin e rajonit. Si i tillë, Departamenti i Shtetit po cakton njëkohësisht dy politikanë, si dhe 12 nga rrjetet e tyre të biznesit me bazë në Rusi”, thuhet në njoftimin e bërë.