
Departamenti i Shtetit Amerikan, ka mohuar t’i komentojë raportimet e sotshme ku thuhej se shtete të Bashkimit Evropian, anëtare të Këshillit të Evropës, kanë pranuar nota nga ambasadat amerikane, për të mos e futur çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill, pa e marrë një qëndrim konstruktiv për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.
Në një deklaratë për Zërin e Amerikës në edicionin serbisht, DASH ka deklaruar se qëndrimi amerikan ndaj ASK-së në Kosovë është i qartë.
“Siç kanë thënë këshilltari Derek Chollet dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabriel Escobat në një artikull të përbashkët – tani është koha për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në deklaratën e DASH për VOA.
Sot media, “Euronews” serbisht, ka raportuar se ShBA-ja ka kërkuar që çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës të mos vihet në agjendë, derisa “Kosova të marrë një qëndrim më konstruktiv për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, i cili do t’i hapte rrugën propozimit të marrëveshjes bazë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.