Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi, me të cilin ka diskutuar për punën e institucionit, rezultatet e arritura dhe planet për të ardhmen.
Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, Shiroka Pula ka vlerësuar punën e Institutit gjatë tri viteve nga themelimi, duke theksuar rëndësinë e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ruajtjes së kujtesës historike.
Në veçanti, ajo ka vlerësuar publikimin e listës preliminare, e cila përfshin personat e vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës.
Presidentja ka theksuar se procesi i dokumentimit duhet të vazhdojë edhe më tej, pasi raporti dhe lista janë preliminare.
Ajo ka nënvizuar se nevojiten hulumtime të mëtejshme, në mënyrë që lista të përditësohet me çdo të dhënë dhe dëshmi të re.
Në fund, Shiroka Pula ka riafirmuar gatishmërinë e Zyrës së Presidentes për të vënë në dispozicion kapacitetet dhe mundësitë e saj në mbështetje të punës së Institutit dhe avancimit të misionit të tij.