
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar ekzekutivin për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës. Sipas LDK-së Rrëzimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë e ka dëshmuar paaftësinë e tendencën e pushtetit. Sipas tyre, qeveria aktuale e ka kthyer në normalitet shkeljen e ligjeve dhe Kushtetutës, andaj simbolikisht i vendosën një karton të kuq, siç thanë, për dërgimin në shtëpi të ekzekutivit.
Rrëzimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë nga Gjykata Kushtetuese, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës vërteton se qeveria aktuale është bërë shkelëse serike e ligjit dhe Kushtetutës.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, përmendi disa prej ligjeve dhe vendimeve antikushtetuese të ekzekutivit.
Ndërkaq për vendimin e fundit tha u dëshmua edhe një herë paaftësia dhe tendenca autoritare e qeverisë Kurti.
Edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj tha se gjysma e ekipit qeverisës kanë marrë karton të kuq, nga Gjykata Kushtetuese.
Këto deklarata zyrtarët e LDK-së i kanë bërë gjatë një konference për media. Deputeti Zemaj ka reaguar edhe ndaj tërheqjes së 25 për qind të policisë në ndërtesat e komunave në veri.
Sipas tij, ky vendim është lojë e ndytë e Kurtit në raport me dështimin e tij në procesin e dialogut. /Gazeta10/