Një makinë në të cilën gjendej vajza e politologut dhe filozofit të famshëm rus Alexandr Dugin shpërtheu të shtunën vonë në Moskë, sipas mediave.
Makina e Darya Duginas shpërtheu në autostradën Mozhayskoye rreth orës 21:45 sipas kohës lokale, kurse dëshmitarët pohuan se shpërthimi i automjetit ndodhi në mes të rrugës dhe shkaktoi shpërndarje të mbetjeve, shkruan Anadolu Agency, transmeton Gazeta10.
Nga të dhënat paraprake thuhet se ajo ka ndërruar jetë menjëherë. Babai Dugin ka mbërritur në vendngjarje, sipas një videoje në rrjetet sociale.
Edhe pse nuk kishte konfirmime të menjëhershme zyrtare për shkakun e shpërthimit, Komiteti Hetimor i Rusisë sot tha se dyshohet që shpërthimi ishte “i planifikuar dhe i porositur”.
Nuk dihet nëse shpërthimi ishte atentat ndaj babait të saj, i cili është përshkruar si “truri” i presidentit rus Vladimir Putin.
Megjithatë, siç raportohet, vetura i përkiste vetë filozofit Alexandr Dugin.
Darya Dugina, si babai i saj, ishte e angazhuar në gazetari, filozofi dhe shkenca politike. /AA/Gazeta10