Katër turistë një austriak dhe tre qytetarë të Kosovës, kanë rrezikuar mbytjen ditën e sotme në detin e Shëngjinit dhe Vainit.
Policia Kufitare e Shëngjinit dhe Njësia Policore Detare janë njoftuar se një shtetas austriak, duke ushtruar sërf, në hapësirën detare të plazhit “Vain”, ishte spostuar në thellësi nga era dhe kërkonte ndihmë pasi rrezikonte të mbytej për shkak të erës së fortë.
Njëkohësisht, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë njoftuar se në Shëngjin, tre shtetase kosovare, duke lundruar me pedalon, i kishte shtyrë era në thellësi dhe për shkak të erës dhe dallgëve rezikonin të mbyteshin.
Shërbimet e Policisë Kufitare janë nisur menjëherë, me mjetet lundruese, në drejtim të dy adresave ku kërkohej ndihmë dhe pas ndërhyrjes kanë bërë të mundur marrjen në bord të shtetasit austriak, ndërsa patrulla tjetër e Policisë Kufitare bëri të mundur gjetjen dhe nxjerrjen në breg të detit në gjendje të mirë shëndetësore, të tre shtetaseve nga Kosova.
Turisti austriak dhe tre shtetaset kosovare, kanë falënderuar Policinë Kufitare për reagimin në kohë duke u shpëtuar jetën.