
Raporti: Arta Mustafa
Shqiptarët e shpërngulur në Kosovë nga tri komunat e Luginës, po vazhdojnë të përballen me telashe, shkaku i pamundësisë së pajisjes me dokumente kosovare. Ata thonë se mungesa e dokumenteve ka vështirësuar edhe më shumë jetën. Shoqëria civile ka adresuar kërkesa në drejtim të institucioneve, derisa nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur se deri në nëntorin e këtij viti, do të procedohet ligji për shtetësinë, por nuk ka dhënë detaje se cilat do të jenë përfitimet për shqiptarët e larguar nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, shkruan Kanal10.
Mijëra shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit vazhdojnë të përballen me probleme të shtetësisë.
Në njërën anë pjesës më të madhe të tyre Serbia ua pasivizoi adresat, e në anën tjetër, me gjithëse kanë shumë vite që jetojnë në Kosovë, ata ende nuk kanë arritur të marrin shtetësinë kosovare.
Fikri Mehmetit nga Bujanoci, jeton në Gjilan që nga viti 1999, por ende nuk ka mundur të marrë një dokument, ani se i njëjti po i kërkohet vazhdimisht.
Shoqëria civile ia ka lënë fajin ligjit për shtetësi, derisa kanë thënë se Serbia ka synuar gjithmonë diskriminimin e shqiptarëve.
E këto veprime i ka cilësuar si diskriminuese edhe Ragmi Mustafi nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në Bujanoc.
Sipas tij, çështja e pasivizimit të adresave është shumë e ndjeshme, derisa shtoi se ende nuk ka numër zyrtar të personave të pasivizuar, pasi Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, nuk i është përgjigjur kërkesës për të treguar këtë numër.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, ka njoftuar se ligji për shtetësi është në fazën e hartimit dhe se i njëjti do të dërgohet para fundit të muajit nëntor të këtij viti për shqyrtim.
Mirëpo, ky institucion nuk ka dhënë detaje se cfarë ndryshime do të ketë ligji dhe sa do të përfitojnë shqiptarët e shpërngulur nga Lugina në Kosovë. /Gazeta10