
Raporti: Gentiana Gashi
Veriu i Kosovës nuk është vetëm problem sa i përket situatës së sigurisë. Katër komunat atje, duken si dy botë paralele. Derisa, banorët shqiptarë ankohen për mungesë të investimeve në vendbanimet e tyre, në ato serbe vazhdojnë ndërtimet, duke mos përfillur ligje e kritere. Nga Komuna e Mitrovicës së Veriut kanë thënë se menjëherë pas funksionalizimit të kryetarëve të rinj, do të merren masa për ndërtimet pa leje nga strukturat paralele serbe në periudhën e pasluftës, kurse do të shikojnë mundësitë që t’u dalin në ndihmë shqiptarëve për rindërtimin e shtëpive të djegura në luftë, raporton Gazeta10.
Nuk mund t’i ndalë lotët, sa herë e viziton shtëpinë e tij të braktisur në veri të Mitrovicës.
Prej përfundimit të luftës, Erhan Rrakateli nuk ka mundur të jetojë në shtëpinë e tij, fillimisht për shkak të mungesës së sigurisë, e më pas edhe për pamundësitë e rindërtimit të saj.
Për këtë, ai thotë se nuk i doli në ndihmë as shteti, duke shtuar se shtëpia e djegur në luftë, të mos ndryshojë pamje as pas më shumë së dy dekadash.
45 vjeçari thotë se pas luftës ka pasur presion nga shteti serb për ta shitur pronën, për çka i kishte refuzuar 145 mijë euro.
Jo vetëm familja Rrakateli, por edhe të tjera përballen me një situatë të ngjashme në veri të vendit.
Për dallim nga shqiptarët, investimet e shtetit dhe strukturave serbe nuk janë ndalë në pjesë të ndryshme të kësaj ane, madje pjesa dërrmuese e tyre pa leje.
Për këtë, qeverisja e re e Mitrovicës së Veriut, e dal pas zgjedhjeve të 23 prillit, synon ndryshimin e situatës.
Sipas Kryesuesit të Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Ugljanin, për të gjitha ndërtimet nga strukturat ilegale serbe edhe në pronat e shqiptarëve do të merren masa.
Ai ka thënë se qysh në mbledhjet e para pas betimit të kryetarëve të rinj, prioritet do të kenë planifikimin hapësinor të komunës.
Sa i përket ndërtimit të objekteve në të cilat janë vendosur qytetarë nga komuniteti serb, ish-kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Betim Osmani, ka thënë se janë rreth 100 sosh që janë ngritur në periudhën e pasluftës.
Derisa, investimet në këtë pjesë më shumë janë bërë nga struktura të ndryshme serbe, banorët shqiptarë ankohen se projekte të tilla kanë munguar nga ana e institucioneve të vendit.
Kohëve të fundit, janë shtruar disa rrugë në disa fshatra të banuara me shqiptarë, derisa banorët kërkojnë investime më të mëdha.
Për planet e institucioneve për investime në veri, televizioni ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Financave dhe asaj të Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, por që zyrat për media të këtyre dikastereve nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta10/