
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës tha se ka autorizuar menjëherë Zyrën Ligjore që t’u drejtohet zyrtarisht organeve kompetente për të “verifikuar urgjentisht” lajmet për arrestimin e drejtorit të Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berisha, i cili dyshohet për dhunë ndaj bashkëshortes.
Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës e kanë konfirmuar arrestimin e tij nën dyshimin për dhunë në familje. Ai gjendet në ndalim 48-orësh.
“Për SHSKUK-në, këto raportime janë jashtëzakonisht shqetësuese. Qëndrimi ynë institucional është i prerë, dhuna në çfarëdo forme është e dënueshme dhe nuk tolerohet në asnjë rrethanë. Në bazë të informacioneve zyrtare që do të pranohen nga organet kompetente, SHSKUK do të ndërmarrë masat më të rrepta administrative dhe ligjore ndaj drejtorit në fjalë”, tha SHSKUK.
Bashkëshortja e Berishës ka raportuar në Policinë e Kosovës për dhunë psikike të vazhdueshme nga ai dhe ka treguar se ka disa muaj që s’jetojnë bashkë.
Ndërkaq, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar më herët se Berisha dyshohet se ka kërcënuar atë se do t’i ndodhë e njëjta si Arlinda Zekajt, gruas nga Peja, që u vra brutalisht me sëpatë nga i dyshuari ish-kunati i saj.