Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Shteti ia ndali pensionin prej 100 eurosh, por 21-vjeçarin sëmundja nuk e lë të punojë

Gazeta10
28 September 2022 - 19:50

Raporti: Val Ajazi/Kanal10

Qe 18 vite, Besart Sejdiu nga Sibovci i Podujevës është diagnostikuar nga sëmundja e epilepsisë. Gjendja e tij u rëndua, kur i vdiq i ati, derisa tash jeton i vetëm me nënën e tij, pa asnjë të ardhur. Të vetmet të ardhura që i merrte ishte shuma prej 100 eurosh, por edhe këtë pension ia ndali shteti, shkruan Kanal10.

21 vjeçari, Besart Sejdiu nga Sibovci i Podujevës, jeton i vetëm me nënën e tij, pa asnjë të ardhur mujore.

Të vetmet mjete që merrte ai dhe nëna e tij, ishte pensioni prej 100 eurosh.

Por, në gusht të këtij viti, shteti i Kosovës atij ia ndali edhe këtë burim të vetëm të të ardhurave, të cilat i merrte pasi tash e 18 vjet vuan nga sëmundja e epilepsisë.

Sipas tij, një vendim i tillë ishte marr me arsyetimin se është i aftë të punojë, por problemet shëndetësore nuk e lejojnë një gjë të tillë.

Ai thotë se shtëpinë e ka të mirë, mirëpo i mungojnë financat për të jetuar, e për t’u trajtuar nga sëmundja.

Ai thotë se vdekja e prindit ia rëndoi edhe më shumë gjendjen financiare, pasi aktualisht nuk kanë asnjë të ardhur në familje.

Sejdiu thotë se detyrohet në këtë gjendje të kërkojë para, për t’i siguruar barnat që i nevojiten.

Ndërkohë, nëna e tij, thotë se vështirësitë për trajtimin e djalit janë të panumërta, derisa kritikon institucionet që nuk i dolën në krah dhe ia ndalën pensionin e vetëm që e merrte në emër të djalit.

Kanal10 ka kërkuar një qëndrim nga Komuna e Podujevës, duke thënë se janë në dijeni për gjendjen e vështirë të 21 vjeçarit, por që kanë thënë se nuk mund të ofrojnë ndihmë për këto raste.

Sipas një përgjigje përmes telefonit, Fatri Zhitia nga zyra për informim, ka thënë se krejt çfarë komuna mund të bëjë është shuma prej 50 eurosh në vit, për çka nevojitet edhe aplikimi.

Televizioni, gjithashtu ka provuar të kontaktojë edhe me Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për arsyet e ndaljes së pensionit, por gjatë ditës nuk ka arritur të marr përgjigje.

Ndryshe, familja Sejdiu thotë se 3000 euro është vlera që i duhet djalit të saj për shërim, e për mungesën e kësaj shume, ajo kërkon ndihmë nga vullnetmirët./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.