
Këshilli Organizativ i Marshit Protestues në mbështetje për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, pas miratimit të projektligjit për Specialen nga Kuvendi i Kosovës, njofton se marshi i radhës i planifikuar për datën 9 tetor në Gostivar, do të shtyhet deri në njoftimin e radhës.
Në njoftim thuhet se këshilli organizativ ka vendosur të prolongojë përkohësisht organizimin e marsheve protestuese dhe se do të analizojë me kujdes rrethanat dhe momentet e reja të krijuara, si dhe zhvillimet e mëtejshme, për të vlerësuar hapat dhe format e ardhshme të veprimit.
Këshilli organizativ njëherësh falënderon për pjesëmarrjen, mbështetjen dhe dinjitetin e treguar gjatë marsheve protestuese të organizuara në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.
“Mirënjohje të veçantë për secilin që kontribuoi që zëri ynë të dëgjohej në mënyrë paqësore, qytetare dhe dinjitoze. Për çdo hap të mëtejshëm, opinioni do të njoftohet me kohë.”