Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Si tentuan të shkonin drejt Italisë ilegalisht,16 kosovarët e mitur përmes një kompanie turistike nga Prishtina?

Gazeta10
27 Dhjetor 2022 - 17:00

Dhjetë persona, shtetas të Kosovës janë arrestuar sot në Portin e Durrësit, pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të ndihmuar 16 shtetas të mitur nga Kosova (të moshës 17 vjeç), që të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt Italisë.

Shtetasit e arrestuar, sipas Policisë, janë prezantuar si anëtarë të bordit të ekipit sportiv që përbëhej nga 16 shtetasit e mitur që ata ishin duke i shoqëruar, transmeton Gazeta10.

LEXO EDHE: Arrestohen 10 persona në Durrës, tentuan të kalonin drejt Italisë 16 shtetas nga Kosova duke i kamufluar si ekip sportiv

“Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve të shtuara në PKK Durrës, në kuadër të planit të masave për festat e fundvitit, bazuar dhe në inteligjencën informative për një rast të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ekipi”, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë 10 shtetas: B. B., 48 vjeç, D. Sh., 32 vjeç, D. G., 36 vjeç, F. B., 21 vjeç, F. Gj., 54 vjeç, A. D., 21 vjeçe, Q. K., 20 vjeçe, E. D., 21 vjeç, A. K., 22 vjeç dhe B. H., 37 vjeç, të gjithë banues në Kosovë.”, ka informuar Policia.

Nga veprimet hetimore, sipas Policisë, ka rezultuar se të miturit dhe prindërit e tyre u kanë dhënë këtyre shtetasve, 3000 – 4000 euro, për t’i ndihmuar të miturit që të hynin në Itali, ku më pas dyshohet se do të kërkonin azil.

“Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi B. H. ka organizuar transportimin e shtetasve të mitur dhe të personave të tjerë tashmë të arrestuar, nga Kosova në Kukës dhe më pas në Durrës, me autobusin e një kompanie turistike në Prishtinë. Gjatë kontrollit fizik, Policia i ka gjetur këtij shtetasi 5945 euro, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.”, është bërë e ditur në njoftim.

“Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë. Ndërkohë, materialet i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.