Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Siguria e grave, Haxhiu: Dera e shtëpisë s’mund të jetë edhe kufiri ku përfundon përgjegjësia e shtetit

Gazeta10
25 November 2026 - 11:54

Në hapje të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Grupi i Grave Deputete organizoi Asamblenë e Grave Parlamentare dhe Asambleiste, me temën “Të sigurojmë drejtësi, të mbrojmë të mbijetuarat dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë”.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për angazhim të përbashkët institucional dhe shoqëror në luftimin e dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore dhe dhunës ndaj grave.

Ajo tha se një ndër padrejtësitë më të mëdha me të cilat përballen gratë është mungesa e sigurisë në shtëpitë e tyre, të cilat duhet të jenë hapësira ku ato gjejnë qetësi dhe mbrojtje.

“Gratë përgjatë gjithë historisë janë përballur me padrejtësi të llojllojshme, por një ndër padrejtësitë më të rënda ndaj grave është se shumë prej tyre nuk ndihen të sigurta në shtëpinë e vet. Shtëpia do të duhej të ishte vendi ku kthehemi për të gjetur qetësi, ku e mbyllim derën pas vetes dhe ku ndihemi të sigurta. Por fatkeqësisht, për shumë gra frika nis pikërisht pasi të mbyllet ajo derë”, është shprehur ajo.

Sipas Haxhiut, për vite me radhë dhuna është fshehur pas arsyetimit se ajo që ndodh brenda familjes është çështje private, por kjo, siç tha ajo, nuk mund të jetë arsye që institucionet të shmangin përgjegjësinë.

“Për vite me radhë dhuna është fshehur pas arsyetimit se ajo që ndodh brenda familjes është çështje private. Mirëpo, dera e shtëpisë nuk mund të jetë edhe kufiri ku përfundon përgjegjësia e shtetit. Kur një grua përballet me dhunë, siguria dhe të drejtat e saj janë çështje e drejtësisë, por po ashtu janë çështje edhe e përgjegjësisë publike”, ka theksuar kryetarja e Kuvendit.

Duke iu referuar rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, Haxhiu ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë, duke përfshirë edhe veprimet dhe mosveprimet e institucioneve që kishin përgjegjësi për mbrojtjen e saj.

“Para pak javësh, Arlinda Zekaj kërkonte të kthehej në shtëpinë e vet. ‘Unë dua të shkoj në shtëpinë time’, kishte thënë e ndjera. Një kërkesë kaq e thjeshtë e kaq njerëzore, të cilën as vendimi i gjykatës e as prania apo prezenca e policisë nuk arritën ta mbronin. Kuvendi ka kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj vrasjeje të rëndë, përfshirë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve që kishin përgjegjësi për mbrojtjen e Arlindës. Është e domosdoshme të përcaktohet ku ka dështuar zinxhiri institucional i mbrojtjes dhe kush mban përgjegjësi për këto dështime”, ka deklaruar Haxhiu, raporton EO.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.