
Kryediplomati shqiptar, Ferit Hoxha, është takuar me ambasadorin e ri amerikan, Eric Wendt.
Për këtë takim ka shkruar ambasada amerikane në Shqipëri, e cila foli për zgjerim të bashkëpunimit në të dyja vende, përfshirë sigurinë energjetike dhe forcimin e paqes e stabilitetit në gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Një partneritet historik me një vizion të përbashkët për të ardhmen. Ambasadori Eric Wendt u takua me Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, për të vlerësuar një lidhje mbi 100-vjeçare. Që nga mbështetja e Presidentit Wilson për një Shqipëri të pavarur, te bashkëpunimi ynë i sotëm si aleatë të NATO-s, ne vazhdojmë të zgjerojmë bashkëpunimin në tregti, sigurinë energjetike dhe lidhjet mes njerëzve, duke forcuar paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.
Wendt dje zhvilloi edhe takimin e parë me kryeministrin Edi Rama pas ardhjes në Tiranë.