
Në kuadër të masave emergjente për energjinë Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvalloni ka marrë disa vendime, ku mes tyre është shfuqizuar vendimi i vitit 2018, ku ka ndaluar dhënien e thëngjillit si formë dhurate për punëtorët e KEK-ut.
E ky vendim i Rizvallonit është mirëpritur nga sindikata e punëtorëve të KEK-ut.
Kryetari i kësaj sindikate, Nexhat Llumnica, në një prononcim për FrontOnline tha se vendimi i vitit 2018 i cili iu ka ndaluar punëtoreve të KEK-ut blerjen apo marrjen e thëngjillit nuk ka qenë i drejtë.
“Ne e kemi pritë shumë mirë shfuqizimin e atij vendimi pasi që nuk ka qenë i drejtë sepse nëse je punëtor i KEK-ut nuk ke pasur të drejtë me marr thëngjill apo me ble thëngjill”, u shpreh Llumnica.
Ai tha se shfuqizimin e këtij vendimi e kanë kërkuar gjatë takimi që kanë pasur me Kurtin, në mënyrë që gjatë krizës së energjisë punëtorët e KUK-të ta përdorin thëngjillin, e jo energjinë elektrike.
“Është shfuqizuar vendimi i vitit 2018-të, në kuadër të masave emergjente, ku me vendimin e vitit 2018 është ndaluar dhënia e thëngjillit si dhuratë për punëtorët e KEK-ut. Ne si sindikatë për shkak të zvogëlimi të shpenzimeve me energji elektrike këtë e kemi kërkuar në takim me kryeministrin dhe drejtorin menaxhues dhe ministria ka marr vendim. Ne kemi kërkuar që të iu jepet thëngjilli punëtorëve me qëllim që ta përdorin thëngjillin e jo energjinë elektrike”, tha Llumnica.
Vendimi për ndalimin e dhënies së thëngjillit për punëtorët e KEK-ut është marrë në vitin 2018-të, në Qeverinë e Ramush Haradinajt nga ministri Valdrin Lluka.
Ai në arsyetimin e këtij vendimi ka thënë se dhënia e thëngjillit është praktikë e mbrapsht e cila mbi të gjitha dëmton afarizmin e ndërmarrjes.